Një 66-vjeçare është arrestuar ditën e sotme në burgun e Fierit pasi u kap gjatë një kontrolli me një sasi hashashi të fshehur me vete. E moshuara dyshohet se drogën e fshehur do t’ia jepte të burgosurit të cilin ajo do takonte.
66-vjeçarja e identifikuar, Limoza Xhelali do të takonte të afërmin e saj Mariglen Gashin i cili është i dënuar për vjedhje. Droga e fshehur u gjet në atletet e zonjës dhe u sekuestrua menjëherë nga policia.
Pas incidentit, Xhelali u arrestua dhe akuzohet për futje të sendeve të ndaluara në burg dhe për prodhim dhe shitje të drogës.
Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier është informuar për ngjarjen dhe po ndjek veprimet e nevojshme ligjore. Forcat e policisë kryen gjithashtu një kontroll në banesën e Xhelali, ku nuk u gjetën sende të tjera të paligjshme. Hetimet për këtë rast vazhdojnë.
Njoftimi:
Sot, më datë 23 Gusht 2024, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje. Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.
Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proceduriale.
Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet proceduriale të nevojshme.
Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal.