Të hënën e 30 shtatorit Kuvendi i Shqipërisë iu rikthye kaosit, teksa deputetët e opozitës protestuan për dënimin me burg të Ervin Salianjit.
Mes përplasjeve fizike, nuk munguan dhe dëmet materiale në sallën e seancave, teksa deputetët u vunë flakën dhe karrigeve të tyre. Plot 24 deputetë janë proceduar penalisht nga policia në SPAK, nën akuzë për “Shkatërrim i pronës private” dhe “Sulm për shkak të detyrës”.
Megjithatë, këta deputetë do duhet po ashtu të paguajnë dëmet e shkaktuara ekonomike nga paga e tyre.
Mësohet se fatura e dëmit nuk është vetëm kostoja e karrigeve të dëmtuara, pasi në të do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofona, tapete, foltore dhe ekrane. Vetëm kostoja e një pajisjeje votimi është mbi 2 mijë euro. Grupi i Punës në Kuvend do ta mbarojë evidencën brenda datës 8 Tetor.
Sipas verifikimeve të deritanishme, 4 janë deputetët që mund të paguajnë më shumë : Flamur Noka, Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti, që kishte shishen e benzinës. Kostoja do të ndahet vetëm mes deputetëve që kanë pasur veprime aktive shkatërruese. Deputetë që vetëm kanë zhvendosur karrige jashtë, por pa i thyer/djegur ato, nuk do të penalizohen.
Grupi i punës po këqyr kamerat e brendshme të Kuvendit si dhe ato në oborr, transmetuar nga media. Kostot nuk do të mbahen nga paga e këtij muaji. Fatura do t’i njoftohet secilit dhe do ju lihet kohë ta paguajnë vullnetarisht. Nëse nuk e bëjnë, do t’u mbahet nga paga.