Vetëm pak orë pasi mohoi akuzat e bashkëpunimit në fshehjen e trupit të pajetë të Enver Ballës, 25-vjeçari Edison Brahaj ka ndryshuar totalisht dëshminë. Sipas dëshmisë së fundit ai pranon se ka dëgjuar të shtënat dhe se u thirr nga Esmeraldi për të zhvendosur trupin e Enverit.
Më tej Brahaj pranon se në fillim trupin e fshehën në ferra e më pas të nesërmen e futën në furgon për ta hedhur më pas në pus. Brahaj zbulon se pasi e hodhën trupin e viktimës në pus, i hodhën edhe disa goma sipër që trupi të mos dilte nga uji.
25-vjeçari pranon gjithashtu se Esmerald Balla i dha 2 milionë lekë të vjetra me qëllim që i riu ta ndihmonte në fshejen e trupit të viktimës.
“Dëgjova dy të shtëna pastaj u thirra nga Esmeraldi për të zhvendosur trupin e viktimës. Isha disa metra larg vendit të ekzekutimit. Trupin si fillim e fshehëm në ferra. Më 14 gusht e kemi futur në furgon dhe e dërguam te pusi. I hodhëm ca goma sipër trupit në pus që të mos dalë nga uji. Më ka dhënë 2 milionë lekë të vjetra.” tha Brahaj.
“Shikon ku më përfshive. Më the më ndihmo se s’do të të gjejë asnjë gjë”, i ka thënë Edisoni Esmeraldit në dhomën e izolimit, ku ndodhen në ambientet e komisariatit të Durrësit.
Bëhet me dije se Esmerald Balla ka bashkëpunuar me Brahaj në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia (pusi). Gjithashtu mësohet se gjatë kontrollit në banesën e të riut, u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. Brahaj akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.