Këtë të enjte, 62-vjeçari, Enver Balla, që dyshohet se u ekzekutua nga djali i tij, Esmerald Balla, do të përcillet në banesën e fundit.
Familja Balla ka hapur dyert e mortit, ndërsa varrimi do të bëhet pasdite në varrezat e Shënavlashit.
Ndërkohë policia po vazhdon hetimet pasi dyshohet se në krim është përfshirë edhe një person tjetër.
I biri, Esmerald Balla dëshmoi se e kreu krimin në gjaknxehtësi, i shtyrë nga marrëdhëniet që babai kishte me gra jashtë martese, duke prishur kështu kursimet e shtëpisë.
Kthesë për hetimin bëri kasaforta e thyer dhe bosh, që u gjet jashtë banesës ku jetonte viktima me gruan e dytë dhe autori me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, duke e orientuar policinë drejt një krimi të mundshëm në familje.
Ndërkohë vijon hetimi për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, që i rëndojnë autorit të ngjarjes, 30-vjeçarit, Esmerald Balla.