Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia e Tiranës.
Mësohet se oficerët e kanë arrestuar Beqaj, rreth orës 07:00, në shtëpinë e tij në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ai u arrestua pasi dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni. Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit. Urdhër arreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera, ndërkohë që pritet njoftimi zyrtar.
Ish-ministri i Shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.
Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit, pas arrestimit të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin. Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.