Altin Dumani është pyetur sot nga gazetarët lidhur me hetimet për dosjen Partizani, dosje për të cilën Sali Berisha dhe dhëndri janë nën masë arresti.
Lidhur me ecurinë e hetimeve, gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se kreu i SPAK ka deklaruar se dosja do t’i dorëzohet gjykatës kur hetimet të jenë mbyllur plotësisht. Sipas Dumanit, janë grumbulluar të gjitha provat, duke shtuar po ashtu se familja Berisha i është nënshtruar edhe hetimit pasuror.
Prej tetorit të vitit të kaluar, Berisha akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, duke i mundësuar këtij të fundit që të ndërtonte biznesin e një kompanie nga e cila përfitoi 5.4 milionë euro.
Prej fundit të dhjetorit, Berisha ndodhet në arrest shtëpie pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues.