Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Panaja. Shtetasja e identifikuar si Lejdi Dajana Xhaferaj dyshohet se ka humbur kontrollin e makinës së saj për shkak të shpejtësisë, duke përfunduar në kanal.
Për ndihmën e saj, janë angazhuar dy zjarrëfikës dhe një autoambulancë, të cilët arritën të nxjerrin të plagosurën nga automjeti. Ajo ka marrë plagë në disa pjesë të trupit dhe është transportuar në spitalin e Vlorës, ku fatmirësisht është raportuar jashtë rrezikut për jetë.
Policia është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, duke u përpjekur të sqarojë rrethanat që çuan në këtë incident të rëndë.