Një 28-vjeçar në Koplik ka rënë në prangat e policisë, pasi kishte përshtatur banesën ku jetonte me qira, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Së bashku me të janë procedura penalisht edhe 9 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë pas mesnate, në këtë banesë, duke luajtur lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar makineta për lojëra fati, tavolinë pokeri, letra bixhozi dhe shuma parash, që u gjetën në banesë.
Njoftimi i policisë:
Malësi e Madhe/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight”.
Kishte përshtatur një banesë të marrë me qira, në Koplik, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, kapet në flagrancë në këtë banesë dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Procedohen penalisht 9 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë pas mesnate, në këtë banesë, duke luajtur lojëra fati. Sekuestrohen makineta për lojëra fati, tavolinë pokeri, letra bixhozi dhe shuma parash, që u gjetën në banesë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, është finalizuar operacioni policor i koduar “Midnight”, si rezultat i të cilit u godit rast i kësaj veprimtarie.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 28 vjeç, banues në Koplik, pasi kishte përshtatur katin e dytë të një banese që e kishte marrë me qira, në Koplik, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit I. B., 44 vjeç, F. B., 38 vjeç, A. R., 30 vjeç, V. V., 20 vjeç, të katërt banues në Koplik, M. V., 33 vjeç, banues në fshatin Vrakë, E. Q., 35 vjeç, K. B., 30 vjeç, banues në Shkodër dhe A. T., 60 vjeç banues në fshatin Brojë, dhe për një 17-vjeçar.
Gjatë kontrollit në katin e dytë të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 4 makineta për lojëra fati, 1 tavolinë pokeri, 1 valixhe me çipsa, 2 palë letra bixhozi dhe shuma parash në lekë, paund dhe euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.