Mbrëmjen e 28 gushtit, një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën e fshatit Ostren pranë Bulqizës, ku një 82-vjeçare ka humbur jetën.
Ngjarja fillimisht ishte raportuar si një rrëzim aksidental, por hetimet kanë zbuluar se e moshuara u përplas për vdekje nga një motor.
16-vjeçari me inicialet L.M. është arrestuar nga policia pasi u konfirmua se ai ishte i përfshirë në aksident dhe kishte përplasur viktimën, S.M., me motorin e tij.
Nga hetimet e mëtejshme, është zbuluar se djali i viktimës, P. M., 56 vjeç, ka fshehur të vërtetën për aksidentin, duke mos raportuar ngjarjen edhe pse kishte dijeni për të. Për këtë arsye, ndaj tij është nisur një procedim penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Pjesë e hetimeve janë edhe infermierët e Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, I.K., 56 vjeç dhe H.K., 62 vjeçe. Ata janë arrestuar dhe po përballen me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për shkak se nuk kanë raportuar dëmtimet e konstatuara në trupin e 82-vjeçares.