Një 34-vjeçare, Artila Kameri ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e sotëm në një hotel në zonën e Graçanicës, në Kosovë.
Fillimisht dyshohet se ajo ka rënë nga kati i dytë i hotelit “Venus” në Prishtinë.
“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, deklaroi Flora Ahmeti për mediat në Kosovë.”
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen ka folur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. Ajo ka thënë se rasti u regjistrua si “hetim mbi vdekjen”.
Po ashtu gazeta Nacionale shkroi se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, brenda në hotel kanë qenë edhe dy persona të tjera, një mashkull nga Peja dhe një vajzë nga Gjakova.
Viktima dyshohet se kishte një biznes privat në Gjakovë për estetikë, dhe ka pasur disa paraqitje publike edhe nëpër media vendore.