Policia ka bërë të munduar arrestimin e dy personave, një tjetër është shpallur në kërkim
Policia e Tiranës ka dokumentuar dy raste të vjedhjes së bizneseve, duke vënë në pranga dy autorët, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Bëhet e ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata”, përveç arrestimeve, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një automjet, një laptop dhe 11 celularë.
Policia ka publikuar gjithashtu edhe pamjet kur tre persona të maskuar thyejnë xhamat e biznesit dhe futen për të kryer grabitjen.
“Pas informacioneve se autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen”, sqaron policia.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga dy shtetas 16 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një bashkëmoshatar i tyre, të tre banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, kanë vjedhur një laptop dhe katër celularë, në dy dyqane me pajisje elektronike.
Pas informacioneve se autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një armë zjarri pistoletë, një laptop dhe 11 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.